Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?
Ne jua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr.
“Po - do të përgjigjen ata - na kanë ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe”!
A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.
Kur të shohin dënimin për së afërmi, fytyrat e atyre që mohuan do të zymtohen dhe, atëherë, do t’u thuhet: “Ja, kjo është ajo që e keni kërkuar të shpejtohej!”
Thuaj: “Mendoni: në qoftë se Allahu më shkatërron mua dhe ndjekësit e mi apo na mëshiron, kush është ai që do t’i mbrojë jobesimtarët nga dënimi i padurueshëm?!”