Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!
Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura[368]. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!
[368] “trungje të mbështetura”: në kuptimin që ata janë të fortë vetëm në dukje dhe që në fjalimet e tyre nuk ka aspak zgjuarsi.
Ata thonë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij!” Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.
Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!”[369] Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.
[369] Sipas komentuesve të Kuranit, vargu i referohet fjalëve të kreut të hipokritëve në Medinë, Abdullah Ibn Ubejit, gjatë një ekspedite të myslimanëve, ku ai kishte marrë pjesë sa për sy e faqe. Ibn Ubeji nuk e kishte kuptuar ende se lidhjet fisnore ishin zëvendësuar nga vëllazëria e re midis besimtarëve dhe se tashmë pushteti i tij ishte venitur, prandaj e mbante veten si “më i fuqishmi” dhe e tallte Muhamedin (a.s.), duke e konsideruar si “më të dobëtin”.
Prandaj jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!”