Ndërsa atyre që besojnë, kryejnë vepra të mira dhe besojnë në atë që i është shpallur Muhamedit - dhe e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, - Ai do t’ua fshijë gjynahet dhe do t’ua përmirësojë gjendjen.
Kjo, sepse ata që mohojnë, ndjekin të pavërtetën, kurse besimtarët mbështeten në të Vërtetën e ardhur nga Zoti i tyre. Kështu ua sjell Allahu njerëzve shembujt e tyre.
Kur të ballafaqoheni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi. Kështu bëni! Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë ju me njëri tjetrin. Ai nuk ua humb veprat atyre që vdesin në rrugën e Allahut.
Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, për të parë përfundimin e atyre që qenë përpara tyre!? Allahu i shfarosi ata plotësisht, e kështu do të përfundojnë edhe mohuesit e tjerë.
Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen e hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia, do të kenë Zjarrin si vendbanim!
Vallë, a është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit të Zotit të tij me atë që i zbukurohen punët e veta të shëmtuara dhe lëshohet pas pasioneve të veta?
Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët?!
Midis tyre ka që bëjnë sikur të dëgjojnë ty, por, posa largohen prej teje, i pyesin ata të cilëve u është dhënë dituria: “Ç’tha ai më parë?!” Këta janë ata, zemrat e të cilëve ua ka vulosur Allahu dhe të cilët lëshohen pas epsheve të veta.
A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. Po për çfarë do t’u shërbejnë atyre këshillat, kur t’iu ketë ardhur Kiameti?!
Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni.
Besimtarët thonë: “Sikur të ishte shpallur një sure!” Por, kur shpallet një sure e qartë dhe në të përmendet lufta, i sheh ata me zemra të sëmura[316], si të vështrojnë ty me shikim si të agonisë së vdekjes! Ndërkohë, më e përshtatshme do të ishte për ata
Kjo për shkak se u thoshin atyre që nuk e donin atë, që e ka shpallur Allahu: “Ne do t’ju bindemi juve në disa gjëra” – por Allahu i di mirë fshehtësitë e tyre.
Sikur të donim, Ne do të t’i tregonim ty ata dhe ti, me siguri, do t’i njihje sipas shenjave të tyre. Por, ti do t’i njohësh ata sipas mënyrës së shprehjes së tyre. Allahu i di veprat tuaja.
Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.
Me të vërtetë, ata që nuk besojnë, i pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është shpjeguar qartë rruga e drejtë, nuk do t’i sjellin Allahut kurrfarë dëmi; Ai do t’i zhvlerësojë veprat e tyre.
Dhe mos u bëni të dobët e të kërkoni armëpushim, ndërkohë që jeni më të fuqishmit dhe Allahu është me ju. Ai nuk do t’jua pakësojë (shpërblimin për) veprat tuaja.
Jeta e kësaj bote nuk është asgjë tjetër, veçse lojë dhe zbavitje. Nëse (i) besoni (Allahut) dhe (i) ruheni (Atij), Ai do t’ju shpërblejë dhe nuk do të kërkojë prej jush pasurinë tuaj.
Ja, juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër. E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.