Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde. Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë”.
Thuaj (o Muhamed!): “Në të vërtetë, unë jam vetëm një njeri si ju. Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i Vetëm, andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë ata të cilët i shoqërojnë Atij zota të tjerë,
Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin.
Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullie e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!”
Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë roja. Ky është urdhri i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.
Kur atyre[286] u erdhën të dërguarit nga çdo anë, duke u thënë: “Mos adhuroni tjetër përveç Zotit!”, ata thanë: “Sikur të kishte dashur Zoti ynë, Ai do të kishte dërguar engjëj. Ne nuk besojmë në mesazhin tuaj.”
Sa i përket fisit Ad, ata u treguan arrogantë në Tokë dhe, pa kurrfarë të drejte, thoshin: “Kush është më i fortë se ne?” Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?! Kështu, ata i mohuan shpalljet Tona.
Dhe, Ne u dërguam atyre në ditët e fatkeqësisë erë të acartë, për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë.
Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë, por ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë, andaj e goditi rrufeja e dënimit poshtërues, për atë që kishte bërë.
Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni”.
Ne u kishim caktuar atyre shokë të këqij, të cilët ua zbukuronin të tashmen dhe të shkuarën e tyre e për ta u përmbush Fjala, ashtu si për popujt që kanë qenë para tyre prej xhindesh dhe njerëzish. Ata kanë qenë vërtet të humbur.
Dhe jobesimtarët do të thonë: “O Zoti ynë, na i trego ata xhinde dhe njerëz, që na kanë shpënë në humbje, që t’i shkelim me këmbët tona e t’i poshtërojmë!”
Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.
Ndër shenjat e Tij janë nata dhe dita, si dhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!
Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë.
Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në Ditën e Kiametit do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju.
Sikur ta kishim shpallur Kuranin në një gjuhë tjetër, ata do të thoshin: “Ah, sikur vargjet e tij të ishin të kuptueshme! Vallë, pse të jetë në një gjuhë të huaj, ndërkohë që ai[290] është arab?!” Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.
Vërtet, Ne ia dhamë Musait Librin, por rreth tij pati shumë mospajtime. Dhe, sikur të mos ishte Vendimi i Zotit tënd i dhënë më parë (për shtyrjen e gjykimit deri në Ditën e Kiametit), ata (që u përçanë) do të gjykoheshin menjëherë. Me të vërtetë, ata dyshojnë thellë në këtë.
Vetëm Allahu e di se kur do të vijë Ora. Kurrfarë frute nuk mund të dalë prej kupës së lules dhe asnjë femër nuk mund të mbetet shtatzënë apo të lindë pa dijeninë e Tij. Ditën kur Ai t’i thërrasë njerëzit e t’u thotë: “Ku janë ata zota që i quanit si ortakët e Mi?”, ata do të përgjigjen: “Askush prej nesh nuk dëshmon sot se ata janë ortakët e Tu.”
Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Ora (e Kiametit), por, edhe nëse kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblimin më të mirë.” Në të vërtetë, Ne do t’i njoftojmë mohuesit për atë që kanë bërë dhe do t’i bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër.
Thuaju, (o Muhamed): “Më thoni! Nëse ky Kuran është vërtet prej Allahut dhe ju e mohoni atë, atëherë kush është në humbje më të madhe se ai që është në kundërshtim të hapur me Të?!”
Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!