Ata thonë: “Ai[252] e ka trilluar atë! Jo, ajo është e Vërteta nga Zoti yt për të paralajmëruar popullin, të cilit para teje nuk i ka ardhur kurrfarë paralajmëruesi, që të shkojë në rrugë të drejtë.
Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, për gjashtë ditë, pastaj është ngritur mbi Fron. Ju nuk keni as ndihmës, as ndërmjetësues tjetër përveç Atij. Vallë, a nuk po vini vesh?
Sikur t’i shohësh keqbërësit se si para Zotit të tyre kokulur do të thonë: “O Zoti ynë, pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena (në atë botë) që të bëjmë vepra të mira! Ne tashmë besojmë me bindje”!
Sikur Ne të donim, do t’ia jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet Fjala Ime: “Me të vërtetë, do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkërisht!”
(Ne do t’u themi atyre): “Shijoni dënimin, sepse nuk e keni besuar takimin e kësaj dite. Në të vërtetë, Ne ju kemi braktisur, prandaj shijoni dënimin e përhershëm për atë që keni bërë!”
Shpalljet Tona i besojnë vetëm ata të cilët, kur u përmenden, bien në sexhde, dhe të cilët e madhërojnë Zotin e tyre, e lavdërojnë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj.
Ndërsa ata që nuk besojnë e që bëjnë keq, vendbanim i tyre do të jetë zjarri. Sa herë që do të duan të dalin nga ai, do të kthehen në të dhe do t’u thuhet: “Shijoni dënimin e zjarrit, të cilin e mohonit!”
Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë, para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë.
A nuk e kanë të qartë ata, se sa popuj i kemi shkatërruar Ne para tyre; nëpër vendbanimet e të cilëve ecin? Me të vërtetë, në këto ka shenja paralajmëruese, por ata nuk po vënë vesh.
A nuk e shohin ata, se Ne e dërgojmë ujin në tokën e shkretuar, e nëpërmjet tij bëjmë që të rriten bimët, me të cilat ushqehen bagëtitë e tyre dhe ata vetë?! A nuk kanë sy për të parë?!