Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre - vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.
Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u kanë sjellë prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi.
Ai krijon të gjallën prej së vdekurës, krijon të vdekurën prej së gjallës dhe e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Në të njëjtën mënyrë do të ktheheni edhe ju në jetë.
Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.
Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.
Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur),
Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë, që Ne ju kemi dhënë juve dhe, a u frikësoheni atyre ashtu, siç i frikësoheni njëri tjetrit? Ja, kështu Ne ua shpjegojmë shenjat Tona njerëzve që mendojnë.
Por, keqbërësit, nga padituria ndjekin qejfet e veta. Atëherë, kush do ta udhëzojë atë që e ka lënë të humbur Allahu? Për njerëz të tillë nuk ka kurrfarë ndihmësi.
Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të vet, duke iu kthyer me pendesë, e pastaj, kur Ai u jep të shijojnë mëshirën e Tij, atëherë një pjesë e tyre i shoqërojnë Zotit të vet diçka tjetër (në adhurim),
Kur Ne u japim njerëzve ta shijojnë dhuntinë, ata gëzohen me të e, kur i godet fatkeqësia për atë që kanë bërë me duart e tyre, atëherë e humbin shpresën.
Jepja të drejtën e tij të afërmit, edhe të varfrit, edhe udhëtarit! Kjo është më e mirë për ata që e duan kënaqësinë e Allahut. Pikërisht ata do të jenë të fituarit.
Ato që i jepni dhuratë për t’jua shtuar (pasurinë tuaj) përmes pasurisë së njerëzve të tjerë (duke jua kthyer dhuratën me një më të mirë), nuk do të shtohen tek Allahu (s’do të ketë shpërblim), kurse kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat).
Allahu është Ai që ju ka krijuar e ju ka dhënë ushqim; pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga idhujt tuaj që bën diçka të tillë? Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).
Dhe, një prej shenjave të Tij, është dërgimi i erërave mbartëse të lajmeve të mira (shiut), që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij, që anija të lundrojë me urdhrin e Tij, që të kërkoni nga dhuntia e Tij dhe që të jeni mirënjohës.
Pa dyshim, Ne kemi nisur të dërguar para teje te popujt e tyre. Ata u paraqitën me prova të qarta, por popujt i mohuan, prandaj Ne i ndëshkuam keqbërësit. Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.
Allahu është ai që i dërgon erërat, që ato t’i lëvizin retë, pastaj i shpërndan ato nëpër qiell si të dojë dhe i copëton ato pjesë-pjesë, e ti sheh shiun, si bie prej tyre. Kur ua çon kujt të dojë nga robërit e Vet, atëherë ata gëzohen përnjëherësh,
Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.
Ti nuk mund ta udhëzosh të verbrin të dalë nga humbja e tij! Ti mund të bësh që të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në shpalljet Tona. Ata janë myslimanë të vërtetë.
Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.
Ditën, kur të vijë Ora (e Kiametit), keqbërësit do të betohen se kanë qëndruar (në tokë) veçse për një kohë të shkurtër. Kështu ata shmangen nga e Vërteta.
Ata, të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi, do të thonë: “Ju, me të vërtetë, keni qëndruar aq sa ju ka caktuar Allahu në Libër - deri në Ditën e ringjalljes, - e ja kjo është Dita e ringjalljes, por ju nuk e keni ditur”.
Pa dyshim, në këtë Kuran, Ne u kemi sjellë njerëzve gjithfarë shembujsh. Por, sikur ti (Muhamed) t’u sjellësh atyre çfarëdo mrekullie, jobesimtarët me siguri, do të thonë: “Ju jeni vetëm shpifës”.