Zemrat e tyre janë të hutuara. Ndërsa ata që janë idhujtarë, flasin fshehurazi: “A është ky (Muhamedi) diçka tjetër, përveçse njeri si ju? Vallë, a do të shkoni ju pas magjisë (së tij), kur e shikoni me sytë tuaj?
Ata[202] thonë: “Këto[203] janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai[204] i ka trilluar ato. Madje ai është poet. Le të na sjellë një mrekulli, ashtu si i kanë sjellë të dërguarit e parë!”
[202] Pra, idhujtarët e Mekës.
[203] Shpalljet hyjnore që përcillte Profeti Muhamed (a.s.).
[204] Profeti Muhamed (a.s.).
Pastaj, ua kemi përmbushur atyre premtimin e i kemi shpëtuar së bashku me njerëzit (besimtarë) që kemi dashur; ndërsa i kemi shkatërruar ata që e kanë shkelur kufirin (mohuesit).
Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!
Vallë, a adhurojnë ata të tjerë zota, në vend të Atij?! Thuaj: “Sillni provën tuaj!” Ky është mesazhi për ata që janë me mua dhe i atyre që kanë qenë para meje, por shumica e tyre nuk e di të Vërtetën dhe shmangen nga ajo”.
Ai e di se ç’ka para tyre (ç’kanë vepruar) dhe ç’ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).
Kur të shohin jobesimtarët, ata tallen me ty (duke thënë): “Ky është ai që i përmend (për keq) zotat tuaj?” Ndërkohë, ata e mohojnë Këshillën e të Gjithëmëshirshmit.
Sikur mohuesit ta dinin kohën, kur nuk do të mund ta shmangin zjarrin nga fytyrat dhe shpinat e tyre dhe nuk do të ndihmohen, (nuk do të flisnin kështu)!
Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?” Jo, askush! E, megjithatë, ata shmangen nga përmendja e Zotit të tyre.
Apo ata kanë zota të tjerë, të cilët mund t’i mbrojnë prej Nesh? Këta nuk mund të ndihmojnë as veten dhe askush nuk mund t’i marrë në mbrojtje kundër Nesh.
Ne u dhamë atyre dhe baballarëve të tyre kënaqësi e ua zgjatëm jetën. A nuk e shohin vallë ata që Ne i qasemi tokës së tyre dhe ia cungojmë skajet? E si mund të jenë ata fitues?!
Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.
Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zekatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.
(Kujtoje) edhe Davudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre.
Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Davudin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto.
Dhe (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, (duke nxjerrë xhevahire) dhe bënin edhe punë të tjera dhe Ne i ruanim ata (që të mos i bënin dëm).
Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.
(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”
Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.
dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.
Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.
E, nëse ata i shmangen (thirrjes sate), ti thuaju: “Unë ju kam lajmëruar të gjithëve pa dallim dhe nuk di a është afër apo larg ajo, që ju është premtuar.